• facebook
  • instagram
  • twitter
  • mail

Kosova dhe Shqipëria pjesë e WIKI LOVES MONUMENTS 2018

  • Postuar më: 30 Gusht, 2018

Gjatë muajit shtator, gara më e madhe e fotografisë në botë WIKI LOVES MONUMENTS do të mbahet në Kosovë dhe Shqipëri.


Wiki Loves Monuments, e njohur nga Libri i Ginesit si gara më e madhe e fotografisë në botë, është konkurs ndërkombëtar i fotografisë i cili mbahet çdo shtator i organizuar nga Wikimedia dhe filialet lokale të çdo shteti pjesëmarrës. Qëllimi i kësaj gare është që të ftoj fotografët profesionist dhe amator të ngarkojnë fotografi të monumenteve kulturore në Wikimedia Commons, të cilat nën licencën e lirë krijojnë një burim të madh informacioni për kulturën dhe historinë e vendit në internet.

Ura e Mesit mbi perroin e Kirit nga Shkelzen Rexha

Fotografia fituese në Wiki Loves Monuments 2016 Shqipëri. Ura e Mesit mbi përroin e Kirit nga Shkëlzen Rexha

Përgjatë tërë shtatorit kur mbahet Wiki Loves Monuments, fotografët profesionist dhe amator ftohen të ngarkojnë në Wikimedia Commons fotografitë të monumenteve të Kosovës dhe Shqipërisë. Fotografi duhen të jenë të cilësisë së lartë dhe të jetë bërë nga vet autori. Përparësi do të kenë objektet jo mirë të mbuluara me foto në Wikimedia Commons dhe fotografitë me teknika të reja si pamje nga droni, panorama, pamjet e brendshme të objekteve etj.

Fotografitë do të vlerësohen nga juria profesionale, nga e cila 3 fotografitë më të mirat do marrin shpërblime, ndërsa 10 më të mirat do të nominohen për garën ndërkombtare të Wiki Loves Monuments bashkë me mbi 50 shtete.

Fotografia fituese në Wiki Loves Monuments 2016 Kosovë.  Ulpiana nga Arben Llapashtica

Fotografia fituese në Wiki Loves Monuments 2016 Kosovë.
Ulpiana nga Arben Llapashtica

Wiki Loves Monuments ka për qëllim pasurimin e Wikipedias, njëkohësisht internetit me informacion për trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë. Si një relikë e së kaluarës, trashëgimia zhvillohet nëpërmjet bashkëveprimit tonë me të, dhe si e tillë ka rol shumë të rëndësishëm për ndërtimin e së ardhmes. Trashëgimia kulturore ka vlerë të madhe për individët, komunitetin dhe shoqërinë që të mbrohet dhe të përcillet në mes gjeneratash.

Kosova si një shtet i ri, ka nevojë për promovimin e trashëgimisë kulturore në shoqëri, si pikë shtyse dhe inspiruese për zhvillimin e identitetit kombëtar.

Shqipëria, një vend me një trashëgimi kulturore të pasur, si dhe me një potencial të madh për zhvillim të turizmit, mund ta përdor të kaluarën e pasur kulturore duke e mbrojtur dhe promovuar atë, për të ndërtuar një të ardhme të zhvilluar.

Wiki Loves Monuments organizohet nga Grupi i Përdoruesve të Wikimedias në Gjuhën Shqipe dhe mbështetet nga Fondacioni Wikimedia, FLOSSK, IPKO Foundation dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë.